Kitabı oku: «Shkrimtari», sayfa 3

Yazı tipi:

Pasadena, Kaliforni – Budallai

«Kjo është gjithçka?» u shpreh tipi i shëndoshë, vërtet obez, ndërkohë që kqyrte pajisjen e çuditshme që mbante në dorë i riu budalla. «Mos më thuaj se na ke bërë të presim më shumë se një muaj për të parë këtë gjënë që ndriçon.»

«Mund t’ju siguroj se po punon» iu përgjigj djali shumë i frikësuar. «Me të vërtetë, besoj se ka bërë atë për çfarë është projektuar.»

«Po, por a do na thuash se çfarë?» i bërtiti tipi i gjatë dhe i hollë ndërkohë që hidhej në këmbë. «Tani po e humbas vërtet durimin.»

Në bodrumin plot me aparatura, ekranë dhe kompjutera të të gjitha llojeve, ndriçuar nga një dritë led e zbehtë që përhapej duke u pasqyruar në faqet e ngrëna, fytyra e hequr e djalit ngjante akoma më e zbehtë nga ç’ishte në të vërtetë.

«Tani nëse nuk na thua se për çfarë shërben vërtet ajo gjëja, të betohem se do të të bëj ta gëlltisësh të tërën» tha trashaluqi duke e kapur budallain nga qafa.

«Po jua thashë» pohoi prapë djali gjithnjë e më i frikësuar. «Është një sistem për të aktivizuar në largësi një proçedurë.»

«Po ça proçedure? Për ça bëhet fjalë?» vazhdoi tipi i shëndoshë, ndërkohë që shkundte djalin sikur po tundte një Margarita.

«Nuk jam i sigurt» u përpoq të përgjigjej djali i ri. «Por besoj se kemi aktivizuar diçka shumë të veçantë dhe të rrezikshme duke parë sistemet e mbrojtjes që m’u desh të lidhja.»

«Sqaroje më mirë» foli trashaluqi duke mos reshtur së shkunduri djalin.

«Do të ta tregoj nëse më lëshon.»

«Në rregull. Po shiko që të jesh sa më bindës se përndryshe copa jote më e madhe e gjendur prej teje, do mund të shihet vetëm me mikroskop.»

Djali rregulloi bluzën, sistemoi flokët e gjatë që nuk e shihnin shampon prej shumë kohësh dhe lëvizi në drejtim të një tavoline pune ku gjendeshin dy tastiera dhe një seri kompjuterash gjysëm të çmontuar. Shtypi shpejt disa komanda të pakuptueshme dhe pas disa minutash, mbi një ekran gjigand që varej nga tavani, u shfaq një pamje tredimensionale e objektit të çuditshëm që rrotullohej ngadalë rreth vetes.

«Kjo është telekomanda jonë misterioze.»

«Ah, tani qenka bërë telekomandë?»

«Bah, duke parë funksionin e saj besoj se mund ta quajmë kështu pa merak.»

«Vazhdo» foli tipi i hollë ndërkohë që sistemohej mbi një karrige të shkatërruar në mënyrë që të mund të kqyrte më mirë ekranin e madh.

«Kështu që, problemi kryesor është që ta riaktivizojmë. M’u desh të lodhesha ca pasi, me shumë gjasa, nuk ishte vetëm i fikur por i zoti donte që askush mos ta ndizte më kurrë.»

«A e pe se nuk i janë shkarkuar bateritë, ti ore që nuk je gjë tjetër veçse një idiot i shëmtuar» foli tipi trupmadh, duke iu drejtuar shokut të vet.

«Jo, nuk ka fare bateri aty brenda» vazhdoi të thoshte budallai. «Besoj se punon në sajë të një burimi energjie të jashtme, një tip fluksi elektromagnetik që arrin të kapë dhe transformojë në fuqi të pastër.»

«Interesante» komentoi ai i holli. «Por cila është rrezja e saj e veprimit?»

«Teorikisht, edhe disa qindra mijëra kilometra.»

«E marrtë dreqi» shfryu trashaluqi ndërkohë që merrte në dorë objektin e çuditshëm. «Do të më thuash se kjo gjëja do ishte në gjendje të transmetonte një sinjal që këtu deri në hënë?»

«Besoj vërtet se po dhe ndoshta e ka bërë tashmë.»

«Dhe çfarë të ketë transmetuar?»

«Këtu vjen pjesa interesante» vazhdoi djali ndërkohë që shfaqte një pamje tjetër mbi ekranin e madh. «Këto janë simbolet që, pasi u riaktivizuan, u shfaqën në pjesën ballore.»

«Duket si një lloj gjuhe e lashtë» komentoi ai i holli. «Më duket se diku e kam parë.»

«Në fakt, është kuneiforme. E përdornin Sumerët disa mijëra vite përpara Krishtit.»

«Dhe çfarë bëjnë mbi një instrument kaq të përparuar në aspektin teknologjik?»

«Kjo është gjuha e vizitorëve tanë alienë.»

«Do të thuash se ata gjigandët që na kapën flasin gjuhën kuneiforme?» pyeti tipi trupmadh po aq i habitur.

«Bah» u përpoq të sqaronte djaloshi «nuk është puna se gjuha kuneiforme flitet. Është një lloj shkrimi. Sidoqoftë besoj se gjuha e tyre është tamam kjo.»

«Dhe ti arrite ta deshifrosh?»

«Në realitet, për të siguruar ekzekutimin e komandës, m’u desh të fusja një tip passwordi. Pratikisht, simbolet e shfaqura në sekuencën e duhur janë futur në modalitetin operativ.»

«Pra me pak fjalë, si ai sistemi që përdoret tani për të zhbllokuar celularin?»

«Po, pak a shumë» tha budallai duke vënë buzën në gaz, i lumtur që ata të dy më në fund e kishin kuptuar atë që po thoshte.

«Ke bërë vërtet një punë të shkëlqyer» tha trashaluqi i kënaqur.

«Po, por nuk e kemi kuptuar akoma funksionin e saj të vërtetë» ia ktheu tipi i hollë duke e kundërshtuar.

«E ndjej se po guxoj një hipotezë për të cilën besoj se mund të jetë mjaft realiste» foli atëherë djali, me një fije zëri.

«Bah, çfarë pret? Fol» ia ktheu trashaluqi duke iu afruar vetëm pak centimetra nga hunda.

«Besoj se është sistemi për të aktivizuar proçedurën e vetëshkatërrimit të një anije kozmike përveç sa e sa funksioneve të tjera.»

Të dy shokët u panë për një çast të shastisur pastaj, ai më i shëndoshi, sikur t’i kishte bërë dikush dhuratën më të bukur në botë, tha «Të lutem, më thuaj nëse i kemi hedhur në erë.»

«Me shumë gjasa alienët do kenë patur të gjithë kohën e nevojshme për të shpëtuar kokën por mjeti i tyre mund të ketë patur vërtet një fund të hidhur.»

«Biri im, je gjeni» thirri tipi trupmadh. Pastaj, nxori nga xhepi një flesh USB dhe shtoi «Vendosi këtu brenda të gjitha të dhënat që ke për këtë gjënë dhe pastaj fshiji të gjitha. Nëse zbulojmë se ke ruajtur për vete edhe një byte të vetëm...»

«E di, e di. Do më bëni copa copa.»

«Të lumtë. Isha i sigurt se je një tip i zgjuar.»

Proçedura e kopjimit zgjati vetëm pak sekonda. Budallai, pasi kishte hequr fleshin nga kompjuteri i vet, ia dha tipit trupmadh i cili ia mori shpejt nga duart. Pastaj, me të marrë edhe objektin e çuditshëm dhe me t’i futur të dy në xhepin e djathtë të pantallonave, i tha shokut të vet «Ikim plako, ndoshta ëndrrat tona po bëhen realitet.»

Kishin arritur pothuajse te pragu kur djaloshi foli «Ej, nuk keni harruar diçka?»

«Ku e ke fjalën?» pyeti tipi i gjatë dhe i hollë.

«Pjesën tjetër të parave që më takojnë.»

«Parave?» ia ktheu trashaluqi. «Falendero zotin që nuk të përdrodhëm qafën» dhe përplasi portën pas vetes.

Yjësia e Arushës – Planeti Kerion

Afro gjashtëqind e pesë vite nga toka, gjigandi i kuq i quajtur Aldebaran ndriçonte zbehtë një planet të zhveshur i njohur me emrin Kerion. Sipërfaqja e tij, sot e karakterizuar vetëm nga shkretëtira të zhveshura, fusha dhe peisazhe shkëmbore, gryka të thella dhe rrafshnalta të buta, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Planeti filloi rënien e tij të ngadaltë afro dhjetë mijë vite para se, për arsye ende të panjohura, lëngu metalik nga i cili përbëhej bërthama nisi lehtë por në mënyrë të pakthyeshme të ngadalësonte rrotullimin e vet, duke shkaktuar reduktimin progresiv relativ të fushës së tij magnetike.

Sot atmosfera e Kerionit, që njëherë e një kohë përbëhej kryesisht nga azoti dhe metani në afro njëzet përqind të saj, realisht nuk ekziston më. Rrezet e dëmshme që vinin nga ylli i tij, në fakt jo të mbrojtura më nga fusha e fuqishme magnetike planetare, e kanë prishur atë deri sa e kanë reduktuar atmosferën fillestare me afro 0,1 përqind. Dete plot me ujë hidrokarburesh zinin gati gjysmën e planetit. Liqene plot me metan dhe shtresa të panumërta prej akulli piklonin mbi sipërfaqet e tokave dhe jeta përparonte me gjallëri. Por me sa dukej, një katastrofë ishte paracaktuar për fatin e Kerionit. Banorët e tij, me mijëra vite, kishin provuar të kërkonin një zgjidhje për të rigjallëruar bërthamën por pa arritur t’ia dilnin mbanë. Që nga fillimet e ngadalësimit, kishin provuar madje edhe të ndërmerrnin udhëtime shumë të gjata dhe të rrezikshme ndëryjësore në kërkim të një planeti të ngjashëm me të tyrin ku edhe mund të zhvendoseshin por asnjë prej këtyre misioneve nuk kishte patur sukses.

Duke ardhur në fund të burimeve të tyre jetike, praktikisht i ishin dorëzuar zhdukjes së pashmangshme kur, një nga mendjet më brilante të planetit propozoi atë që shumica e popullsisë së planetit e quajti si çmenduri absolute: të çliroheshin nga gjithçka nga e cila do të mundnin “të vdisnin”. Keriani filloi një sërë eksperimentesh që, në harkun e disa dhjetra viteve, do të çonin në heqjen e trupave materiale të atij që ne do të mund ta përkufizonim si “shpirti”, duke e çliruar kështu nga lidhja që deri më atëherë besohej se ishte e pashkëputshme me trupin fizik. Esenca e disa vullnetarëve u nda nga materia e gjallë dhe u implantua në strukturat e reja tërësisht mekanike. Ajo që lindi qe një specie e re, bazuar tërësisht në trupat kibernetikë por e pajisur me inteligjencën e vet dhe të asaj esence kozmike e quajtur shpirti, ose më thjesht, jeta.

Shkëputja e shpirtrave të të gjithë banorëve përfundoi në pak vite por, duke marrë parasysh sasinë e paktë të materialeve të përshtatshme për realizimin e trupave të rinj kibernetikë, zhvendosja po kryhej shumë ngadalë. Atëherë u vendos, që të bëhej ruajtja e “esencave” në mbështjellëse të posaçme në formë ovoidale, në mënyrë që të mbroheshin nga shkatërrimi deri sa të realizohej ekzoskeleti i tyre i ri.

Të parat qenie të reja të krijuara, tashmë realisht të pavdekshme, filluan atëherë një epope të re eksplorimesh të kozmosit në kërkim, këtë herë, të planeteve që mund t’u jepnin atyre lëndët e para të nevojshme për përfundimin e projektit. U identifikuan dhjetë, madje në një largësi disa qindra vite dritë nga planeti i tyre mëmë, në të cilët u ndërtuan laboratorët e vërtetë dhe të duhur ku burimet e planeteve u hoqën dhe u shfrytëzuan në vend për realizimin e trupave të rinj. Shumë e rëndësishme ishte prania e elio-3 i cili, përmes një sistemi kompleks të bashkimit nuklear, do t’i garantonte strukturës së çdo keriani të ri një burim energjie praktikisht të pashtershëm. Për të arritur të gjithë ata planete aq të largët, u krijuan portale të vërtetë dhe të duhur ndëryjësore, nëpërmjet të cilëve kontenitorët me shpirtrat e banorëve dhe pajisjet e nevojshme u trasferuan në laboratorët e montimit. Realizimi i çdo trupi të vetëm, implantimi i shpirtit dhe aktivizimi i tij i plotë kërkonte çdo herë një proçedurë shumë të gjatë por, për ta, koha nuk përbënte më problem.

«Kemi marrë një mesazh të pazakontë nga impianti /\» njoftoi keriani që merrej me transmetimet.

«Çfarë mesazhi është?» ia ktheu eprori i tij, që përgjigjej në emër të Shefit RTY, forma fizike e të cilit të kujtonte shumë një specie araknide me putra shumë të gjata dhe trup të stërmadh.

«Çuditërisht u ndërpre para se të përfundonte. Kjo është ajo që na ka ardhur» dhe transmetoi më një nën-dritë një copëz të komunikimit.

Laboratori është sulmuar. Dërgojmë mbrapsht...

«Dërgojmë çfarë? Sulmuar nga kush?»

«Nuk kishte gjë tjetër. Që prej atij momenti, komunikimet me /\ u ndërprenë.»

«Të përpiqemi që të rivendosim kontaktin sa më shpejt dhe të kuptojmë çfarë ka ndodhur» urdhëroi RTY. «Gjenden më shumë se dhjetë miliona shpirtra në atë laborator në pritje për t’u zhvendosur.»

«E di mirë» i tha punonjësi i transmetimeve. «Por, për momentin, gjëja e vetme që po marr është sinjali i kontenitorit (|) që po përshkon tunelin e ndërkomunikimit.»

«Ndoshta është ajo gjëja që po na dërgojnë mbrapsht.»

«Do ta zbulojmë shpejt. Do të jetë këtu brenda treqind e njëzet cense.»

Tell-el-Mukayyar – Energjia e piramidave

«Ja pra, po zbresin» foli Petri duke treguar tre anijet që me shpejtësi po i afroheshin kampit të gërmimeve.

«Dispozicioni standart» u urdhëroi Azakisi dy pilotëve të mjeteve te komunikuesi i tij portabël.

Të dy alienët, bashkë me Xhekun dhe Elisën, qëndruan në heshtje duke soditur anijet ndërkohë që përfundonin manovrat e tyre të shpejta dhe të sakta në zbritje.

«Do të duhet të aktivizojmë një fushë force në kupolë për të rikrijuar një atmosferë më të përshtatshme për sistemin tonë të frymëmarrjes» sugjeroi Petri.

«Jam dakord» ia ktheu Azakisi. «Jam mërzitur sa s’ka me këto pajisje të mallkuara» dhe tregoi dy tubat e hollë të frymëmarrjes që i mbante të futur në vrimat e hundës.

«Këtu ka shumë oksigjen për ne. Ndoshta do të ishte më mirë që ta organizonim bazën tonë të emergjencës lart në mal.»

«Jo jo. Të paktën jo për momentin. Fusha e forcës do të jetë më se e mjaftueshme në pritje për t’u organizuar pak më mirë.»

«Në rregull, në rregull, ti je shefi» foli Petri, duke e theksuar fjalën me një lloj përshëndjetje ushtarake që e kishte parë ta bënin ushtarët në Tokë.

«Anija dy. Aktivizoni kupolën kufizuese» tha përsëri Azakisi tek komunikuesi.

Duke u nisur nga maja e anijes qendrore, tradhtuar vetëm nga një dridhje e lehtë e ajrit, një tip velloje gati e padukshme u përhap me shpejtësi në një rreze afro njëqind metra, duke arritur të formonte një kapuç në formë gjysëmsfere që, nga pika më e lartë e piramidës virtuale të anijes dy, u përhap në mënyrë uniforme deri sa u zhyt në terrenin gjithë rërë të shkretëtirës.

«Më duket një punë e shkëlqyer» u shpreh Petri i kënaqur.

«Përse janë vendosur kështu?» pyeti Elisa gjithë kureshtje.

«Kështu si?» ia ktheu Azakisi. «Çfarë do të thuash me këtë?»

«Anijet. Piramidat që kanë formuar janë thuajse në vijë të drejtë dhe të vendosura me fytyrë nga jugu. Dy në pjesën më të jashtme me sa duket janë drejtuar ndërsa ajo që gjendet në qendër duket pak e dalë nga aksi.»

«Ke një shpirt vëzhgimi fantastik» komentoi Azakisi.

«Fakti është se më kujtojnë shumë diçka tjetër.»

«Çfarë saktësisht?» pyeti atëherë koloneli që papritmas ishte interesuar ndaj diskutimit.

«A ke qenë ndonjëherë në Egjipt?»

«Shumë kohë më parë.»

«Dhe e ke vizituar pllajën e Gizës?»

«Sigurisht që po» iu përgjigj Xheku. Pastaj, duke i rënë ballit me pëllëmbë thirri «Po natyrisht. Janë vendosur tamam si tre piramidat më të mëdha.»

«Keopi, Shefreni dhe Miçerino» saktësoi profesoresha.

«Vërtet që nuk po marr se ça apo thoni» foli Azakisi me dyshim.

«Prit» foli atëherë Elisa. «Po ta tregoj» dhe u drejtua me hapa të shpejtë drejt tendës së laboratorit. Pa kaluar as një minutë doli andej me një libër të trashë shumë të konsumuar nga përdorimi i tepërt. Ndërkohë që u afrohej tre të tjerëve, shfletonte faqet me shpejtësi. «Ja këtu. Shiko» dhe ia dha alienit.

«Interesante... Çfarë janë?»

«Më lër ta shoh» tha ndërkohë Petri, duke ia marrë librin e madh shokut nga duart. «Ah po. I kam parë këto lloj ndërtimesh. Janë të ngjashme me atë aty» dhe tregoi Ziqquratin mbrapa kampit. «Por duhet të jenë ndërtuar nga një popull tjetër dhe në kohë të ndryshme.»

«Të lumtë Petri. Ke shumë të drejtë. Studiuesit tanë që nga dita e e zbulimit të tyre, kanë shtrydhur trurin për të kuptuar arsyen se pse u ndërtuan dhe pse janë vendosur në atë mënyrë.»

«Po është shumë e thjeshtë» tha Petri duke nxjerrë në pah një buzëqeshje plot gëzim. «I sheh ato yjet aty lart?» dhe tregoi një yjësi në mes të tjerave, që vendin ia kishte lënë diellit tashmë të perënduar.

«Po, sigurisht. Ne e quajmë yjësia e Orionit. E ka marrë emrin nga gjysëm perëndia greke Orioni» tha Elisa. Pastaj, ndërkohë që me gishtin tregues vizatonte profilin në ajrin e kthjellët të shkretëtirës, shtoi «Nëse yjet e saj bashkohen me një vijë virtuale, atëherë formohen koka, supet, beli dhe këmbët e një njeriu. Sipas mitologjisë greke, Orioni ishte një gjigand i lindur me aftësi mbinjerëzore, një gjuetar i fuqishëm që vriste gjahun me një vare bronxi të pathyeshme. Kur heroi grek vdiq, ai u vu midis yjeve në përjetësi.»

«Gjithmonë shumë mbresëlënëse historitë tuaja» komentoi Petri i mahnitur. «Nga ajo që na kanë mësuar të Moshuarit, të gjitha ndërtimet e këtij lloji, dhe të tilla ka shumë të shpërndara në të gjithë tokën, të gjitha pra na referohen neve.»

«Ju alienëve?»

«Ne “Zotave”, të zbritur nga qielli për të nisur racën njerëzore» saktësoi Petri.

«Dhe të dukej se edhe këtu nuk qe dora juaj» shfryu Xheku. «Duket se gjithçka që kemi bërë deri më sot është ekskluzivisht për shkakun tuaj.»

«Bah, ta mendosh mirë fare» shtoi Elisa «duhet të them se nuk mund t’i vëmë të gjitha fajet.»

«Doja vetëm të thoja» shtoi Petri me qetësi «se anijet tona janë pozicionuar thjesht si tre yjet e “mesit” të Orionit tuaj.»

«Kështu që e njëjta gjë do të vlente edhe për piramidat në Egjipt?» pyeti Xheku i habitur.

«Do thoja vërtet se po.»

«Atëherë ishin të vërteta supozimet e shkencëtarëve tanë» tha profesoresha gati nën zë. Pastaj mori mjekrën mes dy gishtave të mëdhenj të dorës dhe shtoi «Por, akoma nuk e kam kuptuar arsyen e vërtetë të kësaj vendosje.»

«E thjeshtë fare, e dashur» foli Petri. «Energjia.»

«Këtë duhet të ma sqarosh mirë» ia ktheu profesoresha ndërkohë që po drejtonte kurrizin dhe kryqëzonte krahët.

«Nuk është se edhe ne dimë shumë për këtë» nxitoi të sqaronte Petri. «Por duket se, një objekt i bërë në formë piramide është në gjendje të gjenerojë një lloj energjie pozitive të dobishme për të gjitha qeniet e gjalla që i ndodhen afër. Me sa duket, sa më i madh objekti aq më e madhe është energjia që gjeneron. Pastaj nëse është në kontakt me një trup qiellor ose më mirë, me disa prej tyre, gjithçka amplifikohet në mënyrë eksponenciale.»

«Por për çfarë lloj energjie jemi duke folur?» pyeti ndërkohë arkeologia.

«Siç po të thoja, nuk është e qartë as për ne. Shumë nga Ekspertët tanë janë duke u marrë me studimin e saj por akoma nuk kemi të dhëna të sigurta.»

«Më në fund ja edhe diçka që nuk e dini as ju» foli atëherë Xheku i kënaqur. «Është thuajse një mrekulli.»

«Janë shumë gjëra që ne nuk i dimë, miku im. Në shkallë globale, ne jemi pak më të zhvilluar se ju. Në univers gjenden kaq shumë mistere. Nuk e ke çuar aspak në mend se ne i njohim të gjitha?»

«Po të rrëfej se, për momentin, e besova vërtet.»

«Ka koncepte që nuk do të mund t’i kuptojmë dot kurrë. Duhet ta pranojmë këtë.»

«Por ne jemi qenie inteligjente, gjithë fantazi, gjithë kureshtje. Çfarë do na pengonte që të kuptonim?»

Në atë moment qe Azakisi ai që ndërhyri në diskutim duke thënë «Është vetëm problem i niveleve të perceptimit.»

«Këtë nuk e kam kuptuar tamam» u shpreh Elisa me mëdyshje.

«Për sa kohë që ti mund të mendosh që mendjet tona janë kushedi se sa të “zhvilluara”, ka disa elemente aq larg nga strukturat tona të mendimit saqë ne as arrijmë dot t’i supozojmë, të paktën me njohuritë tona aktuale.»

«Më vjen keq por nuk po të ndjek dot.»

«Marrim si shembull një qelizë të mëlçisë tënde» vazhdoi Azakisi me durim. «Imagjinoje atë nga këndvështrimi i arsyetimit mbi gjendjen e saj, mbi punën, mbi qelizat që gjenden afër saj. Kushedi sa herë do të jetë përpjekur të kuptojë se çfarë ka përtej atij realiteti ku jeton. A ka grupe të tjera qelizash? A do të jenë si mua? Ndoshta do të ketë provuar së supozuari edhe mbi praninë e një Zoti. Gjithshtu do të ketë tentuar të hyjë në kontakt me të duke ndjekur kushedi se çfarë ritesh komplekse, duke u lutur për ndërhyrjen e tij në zgjidhjen e problemeve të tyre të përditshme. Po kush është Zoti i saj? Tëmthi? Zemra? Ti? Çfarë perceptimi mund të ketë vallë një qelizë e mëlçisë sate, për ty, për Zotin e saj? Si mund të hyjë ndonjëherë në kontakt direkt me ty? Dhe nëse nuk të percepton dot ty, a do mund të më perceptojë ndonjëherë mua? Dhe detin, qiellin, diellin, galaktikën... Këtë desha të them për nivelet e ndryshme të perceptimit.»

«Dreq» u shpreh Elisa sikur sapo kishte dalë nga një gjendje hipnoze. «Nuk e kisha menduar ndonjëherë këtë... Kështu pra, ne nuk mund të arrijmë dot kurrë të hyjmë në kontakt me entitetet e niveleve të larta dhe as ta imagjinojmë se çfarë mund të gjendet jashtë përmasave ku ne jetojmë.»

«Nuk është e thënë. Duket sikur dikush, falë edhe energjisë së veçantë të çliruar nga piramidat për të cilat po flisnim më parë, mund të ishte në gjendje të kapërcente një apo më shumë nivele. Për fat të keq edhe njohuritë tona në këtë fushë kaq të veçantë, janë akoma shumë të kufizuara.»

«E mrekullueshme» pëshpëriti profesoresha krejt e mahnitur. «Pra edhe ju jeni në kërkim të Zotit tuaj.»

«Në fakt, kjo është një temë diskutimi mbi të cilën jemi duke studiuar që prej shumë kohësh.»

«Nëse edhe ju nuk ia keni dalë mbanë kësaj pune, as mos ta mendojmë që edhe ne mund të kemi shpresa.»

«Shpesh intuitat më të rëndësishme fshihen ashtu vetvetiu» konludoi Azakisi. «Racat tona janë shumë të ngjashme dhe jam i sigurt se si ne edhe ju, do mund të kemi të njëjtat mundësi për të zbuluar funksionimin e këtij mekanizmi misterioz, përmes të cilit mund të vihemi në kontakt me disa entitete më lart.»

Elisa kryqëzoi duart pas shpine dhe nisi të vinte vërdallë. U mendua për disa sekonda pastaj shtoi «Por, në fakt, nëse qeliza për të cilën folëm më parë nuk do ta bënte mirë punën e vet, për mua do të kishte probleme dhe do të isha e vetëdijshme për këtë. Fundja edhe kjo është një formë kontakti, apo nuk është kështu?»

«Ke të drejtë. Ne të gjithë gjendemi këtu për një qëllim të qartë dhe duhet të kërkojmë thjesht të bëjmë sa më mirë punën tonë. Prandaj për këtë arsye në Nibiru, qëkur vijmë në jetë, Trainuesit tanë përpiqen që të identifikojnë se cila është veçoria jonë kryesore. Secili prej nesh e ka një të tillë, ashtu siç mendoj që e keni edhe ju tokësorët. Problemi më i madh është që ta zbulojmë dhe ta ngremë në maksimum. Trainuesit, përveç se na japin të gjitha njohuritë bazë, merren fiks edhe me këtë. Janë ata që, pasi i kanë analizuar me kujdes karakteristikat tona, na orientojnë drejt grupit që i afrohet më shumë dhuntive tona personale si ai i Artistave, i Artizanëve, i Ekspertëve dhe kështu me radhë. Ne nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të japim gjithmonë maksimumin në aktivitetin ku ne shkëlqejmë dhe të përfundojmë rrugën që është menduar për ne.»

«Mirë djema» ndërhyri në atë moment koloneli. «Si thoni sikur t’i lëmë fare këto diskutime filozofike dhe t’i përkushtohemi seriozisht zgjidhjes së problemit që kemi tani?»

«Po tamam» shtoi Petri. «Në fakt, ndërkohë që ju “mendjet e mëdha” po arsyetoni mbi misteret e universit, unë bëra shkarkimin e të dhënave nga regjistruesi jot personal.»

«Po për çfarë je duke folur?» e pyeti Azakisi me mëdyshje.

«Me thënë të drejtën, nuk më kujtohej sa mua» vazhdoi Eksperti. «Por, para nisjes, mora masat për të aktivizuar një sistem të regjistrimit personal që do të memorizonte të gjitha veprimet e çdo komponenti të ekuipazhit.»

«Po, po, tani më kujtohet. Po flet për këtë gjënë që më ke vënë këtu mbrapa, apo jo?» ia ktheu komandanti, ndërkohë që duke përthyer trupin, përpiqej të tregonte një katror të vogël të zi fiksuar mbi rripin e tij të mesit në ngjyrë gri të çelët.

«Tamam ashtu, plako. Dhe ta imagjinosh se sa mirë ka funksionuar. Ia dola të zbuloj fundin që pati sistemi yt i kontrollit në largësi.»

«Ah po? Dhe ç’fund do të ketë patur vallë?»

«Nuk do ta imagjinoje dot kurrë.»

₺168,94
Yaş sınırı:
0+
Litres'teki yayın tarihi:
16 mayıs 2019
Hacim:
250 s.
ISBN:
9788873045052
Tercüman:
Telif hakkı:
Tektime S.r.l.s.
İndirme biçimi:
epub, fb2, fb3, html, ios.epub, mobi, pdf, txt, zip

Bu kitabı okuyanlar şunları da okudu