Çmimi I Ferrit

Abonelik
0
Yorumlar
Parçayı oku
Okundu olarak işaretle
Çmimi I Ferrit
Yazı tipi:Aa'dan küçükDaha fazla Aa

Çmimi i Ferrit

titulli: Çmimi i Ferrit

autori: Federico Betti

përkthyes : Gentian Cane

I

Stefano Xamanji ishte agjent policie në Skuadrën e Krimeve.

I pëlqente shumë të bënte një jetë të qetë dhe në kohën e lirë ia kishte shumë ënda të lëvizte në Bolonjë me automjetin e tij dyvendësh Coupé në ngjyrë gri si argjendi.

Një mëngjes të ftohtë janari u ngrit nga shtrati, hëngri shpejt e shpejt ca feta bukë pa maja me pak lëng qitroje dhe doli të shkonte për në punë. Me vete kishte marrë edhe armën pistoletë kalibër 38.

Sapo mbërriti në rrugën Rizzoli, dhe pasi pa se ishte herët për në punë, vendosi të ndalej për të përshëndetur mikun e tij Mauro Romani në fast-food-in që kishte në pronësi me numër adrese 68 të po asaj rruge.

Sapo hyri aty, pa nga ana tjetër e banakut një person të dyshimtë që mbante një pistoletë në dorën e djathtë, gati për të hapur zjarr mbi zotin Romani nëse ai nuk ia jepte paratë që ndodheshin në kasë.

Kur pa qesen me para në duart e grabitësit dhe mikun e tij Mauro të lirë, nxori pistoletën nga këllëfi poshtë xhaketës.

«Ndal, policia» tha Stefano, në pritje që personi të ndalonte.

Por kjo nuk ndodhi: burri i maskuar rrëshqiti tinëz pas një dere që të çonte në qilar.

Pa ngurruar asnjë moment më shumë, Stefano, me armë në dorë, i vajti nga pas grabitësit nëpër shkallë, me shpresë që mos t’i zhdukej nga sytë.

E kërkoi për ca momente, por nuk e gjeti.

Ndoshta kishte arritur vërtet t’ia mbathte. Ose ndoshta jo.

Po bëhej gati të ikte, kur i kapi syri një vezullim të pazakontë në ngjyrë të kuqërremtë që vinte prapa një qosheje.

Me shumë kujdes, gjithmonë duke mbajtur pistoletën tip 38 në dorë, lëvizi në drejtim të asaj drite të fortë të pazakontë. Aty gjendej një libër mbi dysheme. Kopertina ishte prej gëzofi të kuq. E kuqe e ndezur. Shumë e fortë. Verbuese. Nuk i rezistoi dot më.

Sapo Stefano preku librin, drita vezulluese u fashit.

Kapi librin dhe e mori me vete për ta çuar në Departamentin e Policisë, aty ku punonte.

Qetë qetë, nisi të punonte në tryezën e tij. Po kërkonte sesi e si të gjente atë keqbërësin që kishte hasur në lokalin e rrugës Rizzoli.

Kishte pak dhimbje migrene por nuk qe momenti, sepse pas shumë ditësh pune intensive lodhja ishte e natyrshme. Pas pak ia bëri me shenjë kolegëve dhe u largua për në shtëpi.

Hipi në automjetin e tij Coupé dhe u nis me librin të vendosur në sediljen tjetër të makinës.

Ndezi radion për të dëgjuar nëse kishte lajme për atë që kishte ndodhur në fast-food ose të tjera lajme që mund të ishin me interes: ishte shumë i dëshiruar për ndonjë kuriozitet ose lajm ndryshe nga të zakonshmit. Folësi nuk njoftoi asgjë të veçantë në radio, kështu që Stefano e fiku.

Me të mbërritur në shtëpi, mori librin që kishte gjetur në mëngjes, e vuri mbi tryezën e tij personale në dhomën e punës dhe nisi të lexonte gazetën.

Menjëherë i ra në sy një titull me shkronja të mëdha në faqe të parë: TENTATIVË GRABITJEJE NË NJË FAST-FOOD NË RRUGËN RIZZOLI. Nga ajo që lexoi, e kuptoi menjëherë që grabitësin nuk e kishin identifikuar akoma. E mbylli gazetën.

Në përpjekje për t’u qetësuar i gjithi, bëri një çaj bimor me përmbajtje menteje, trëndafili i egër dhe bimë të tjera rigjeneruese, dhe u shtri mbi divanin e sallonit me shpresën që askush nuk do ta bezdiste në telefon apo nuk do t’i binte ziles së derës. Nuk kishte aspak dëshirë të fliste.

Kërkimet mbi grabitësin dhe identifikimin e tij po vazhdonin ende, edhe pse Stefano nuk gjendej i pranishëm në Departamentin e Policisë.

II

Pas gati tre orësh pune intensive në fast-food dhe në Departament, ekspertët mjeko-ligjorë dhe disa agjentë të tjerë policie arritën të identifikonin grabitësin me të cilin ishte përballur Stefano Xamanji.

Emri i tij ishte Daniele Santopietro. Personi kishte precedente penale për grabitje të armatosur, përdhunime dhe ushtrim dhune në shumë ndodhi dhe episode të natyrës kriminale.

Kërkimet vendosi t’i merrte përsipër Elis Dejn, një agjente që vinte nga Skotlënd Jard, por me origjinë nga Irlanda, dhe tamam tamam nga qyteti i Belfastit.

E vendosur për gjetjen e Santopietros, u nis me automjetin e saj tip sedan sportiv nëpër autostradën që përshkonte qytetin mespërmes, dhe që për shijet e saj, dukej ca si shumë i ngarkuar në trafik.

E ndjente se do ta kapte në anën tjetër të Bolonjës, në rrugën Saffi.

Me të arritur aty, parkoi makinën dhe u nis në drejtim të banesës së Santopietros me pistoletën që mbante në çantë.

Pasi gjeti pallatin që kërkonte, i ra ziles duke sajuar një arsye për të hyrë brenda pa shkaktuar asnjë dyshim tek njerëzit aty rrotull.

Me të hyrë, iu desh fare pak të gjente derën ku qe shkruar SANTOPIETRO.

Dera ishte gjysëm e hapur. Hyri fare lehtë brenda në apartament. Ndoshta shumë lehtë mendoi ajo me vete.

Me pistoletë në dorë bëri përpara. Siç dukej, nuk kishte asnjë njeri aty brenda.

Ishte një vend i errët dhe i zymtë, gjë që nuk i pëlqente fare, por duhej të vazhdonte. Nuk mundej dot të ndalte. Dhe jo pikërisht tani që gjendej aty brenda.

Ishte një apartament me shumë dhoma, të gjitha me shumë hapësirë dhe të arreduara. I eksploroi pak e nga pak të gjitha: që nga kuzhina tek depoja, nga dhoma e gjumit e te një tjetër aty përbri. Ishte i gjithi i lidhur me korridorë të gjatë e të errët. Brenda nuk shihej njeri prej njeriu.

Po bëhej gati të largohej, kur i ra ndërmend se kishte harruar pa i hedhur një sy dhomës së vogël në qoshen e fundit të errët.

Gjithmonë me pistoletë në dorë, iu afrua atij vendi pa bërë zhurmë, duke i kushtuar vëmendje çdo lëvizjeje shumë të vogël që mund të dëgjohej në ato çaste. Kishte shumë frikë. Nuk i pëlqente hiç fare ajo shtëpi.

Mezi sa po priste deri sa të dilte prej andej. Po dridhej e tëra.

Hodhi një sy vjedhurazi, për të parë se mos gjendej aty brenda Santopietro. Nga përshkrimi që ishte bërë atij personi, menjëherë e kuptoi se, me shumë gjasa, e kishte gjetur.

Ishte ulur mbi një tavolinë të vjetër kafeje mbushur plot me shishe qelqi me lëngje të ngjyrave të ndryshme: të verdhë, të kuqe, gjelbëroshe. Nuk po arrinte të kuptonte se çfarë mund të ishin.

Papritmas pa një figurë njeriu të fshehur pas një kolone shumë të trashë.

Kishte kapëse dhe tuba gome në qafë, stomak dhe në krahë e këmbë. Nga trupi i atij njeriu dilte lëng në po atë ngjyrë që kishte parë pak më parë në atë tavolinën e vjetër dhe, me anë të tubave që i ishin vendosur në trup, lëngu shkonte tek tre shishe që ishin njëlloj me ato që kishte vënë re pak më parë.

Por nuk po arrinte akoma të kuptonte se çfarë po ndodhte në atë dhomë të mallkuar dhe një drithërimë i përshkoi të gjithë shpinën.

Pavarësisht asaj çka po ndodhte aty brenda, Elis ishte tejet e vendosur që ta ndalte atë person brenda apartamentit të tij, t’i vinte prangat dhe ta çonte deri në Departamentin e policisë së Bolonjës për t’ia dorëzuar në fillim Stefano Xamanjit, që për më tepër, duhej ta njihte atë si person, dhe pastaj t’ia dorëzonte atij ose asaj që ishte i ngarkuar në rangjet më të larta të drejtësisë. Por duhej të vepronte shumë shpejt, pa pritur asnjë çast më shumë, përndryshe do qe tepër vonë, si për të, dhe për atë të gjorin që gjendej nën kthetrat e Santopietros.

Në dorë mbante fort pistoletën, gati për të hapur zjarr nëse do ishte e nevojshme.

Ndërkohë që Santopietro ishte thellësisht i zhytur pas punës së tij, Elis Dejn doli nga vendi ku qe fshehur.

«Ndal. Policia!» bërtiti.

Santopietro nuk e çau kokën fare.

«Të thashë ndal!» bërtiti prapë duke përdorur të gjithë zërin që i kishte mbetur në grykë.

Ai nuk lëvizi as edhe një gisht.

Në aq kohë sa ishte brenda nuk e kishte kuptuar se personi në krah të Santopietros ishte gjallë. E kuptoi vetëm atë moment.

«Duart lart!».

Santopietro vazhdoi me punën e tij pa e çarë fare kokën për gruan me pistoletë në dorë.

E lodhur së bërtituri, Elis vendosi të shtinte për ta ndalur.

Mori shënjestër.

Numëroi deri në pesë para se të tërhiqte këmbëzën.

Një, dy, tre, katër, pesë... Shtiu. Mjaftoi një goditje.

«JOOOO!» ulëriti Santopietro.

Për fatin e saj të keq, Elis kishte goditur në kokë kavien e Santopietros. Goditje për ters. Një gabim shënjestrimi prej vetëm pak milimetrash.

Krimineli nisi t’i hakërrehej polices.

«Do paguani për këtë! Ti dhe ai polici trap!» tha duke mallkuar për humbjen që sapo kishte pësuar.

Menjëherë Elis e mori vesh se çfarë ishin ato lëngje të çuditshme mbi tavolinën e vjetër dhe ndjeu një drithërimë të ftohtë.

U mundua të qetësohej, duke menduar se qe e pamundur gjithë ajo çka i kishte ardhur nëpër mend. Pastaj pati mundësi të mendohej edhe njëherë. Me siguri që e gjitha ishte e vërtetë.

Urinë. Gjak. Lëng biliar.

«Do të paguani për këtë që bëtë!» ulëriti përsëri Santopietro.

«E hoqët qafe! Do ta zini ju vendin e tij. Ti dhe ai miku jot shkërdhat!».

Elis u drodh prapë, jo dhe aq për ato ça kishte thënë në fillim, por për fjalët e fundit që ai kishte nxjerrë nga goja.

«E vrave!» bërtiti ai gjithnjë e më i zemëruar.

Elis vendosi të fshihej pas një kolone, për të parë më mirë gjithçka që po ndodhte në atë dhomë të urryer.

Santopietro i kishte sytë e kuq e plot tym dhe gjuhën më të zezë se karboni.

Elis ia nguli sytë kolonës që kishte zgjedhur si strehë: ishte e gjitha e zbukuruar me vija të harkuara në ngjyra të shumëllojshme. Të kuqe, blu, të zezë.

 

Në një moment vuri re se kolona po luante vendit.

Jo, nuk ishte kolona; ishin vijat që zbukuronin kolonën. Po bëheshin akoma më të trasha.

Po bëheshin gjarpërinj. Gjarpërinj të vërtetë. Ishin gjarpërinj të gjallë.

Shiheshin fare qartë. Po lëviznin drejt saj. U drodh përsëri. Kishte frikë. Për mendimin e saj, ishte vërtet e frikshme. Duhej t’ia mbathte nga ai ferr. E mbërthyer nga paniku, manovroi nëpër shtëpi, ose kështu u mundua, të paktën. Arriti të dilte prej andej.

Duke qenë krejt e shpenguar, nga nxitimi i madh në ikje e sipër ishte përplasur me orenditë e shtëpisë dhe kornizat e dyerve. Nga krahët dhe këmbët i rridhte gjak.

Duhej të merrte menjëherë mjekim. Gjithsesi mund ta quante veten me fat që ia kishte dalë mbanë t’u largohej gjarpërinjve dhe atij Santopietros së mallkuar.

Sapo mbërriti në shtëpi, u mjekua dhe u përpoq të qetësohej.

Çuditërisht ia doli të qetësohej fare mirë, megjithë shqetësimin e madh që kishte.

Kur u zgjua, e ndjeu veten të lumtur që e kishte zënë gjumi.

III

Pasi ishte çlodhur mirë e mirë, Stefano piu një kafe dhe u kthye në Departamentin e Policisë për të parë sesi po shkonin hetimet mbi grabitësin.

Hyri brenda dhe menjëherë mori vesh se kush ishte. Një koleg i tha edhe se në mungesë të tij, me hetimet po merrej njëfarë Elis Dejn nga Skotlënd Jard.

Menjëherë u lidh me të për ndonjë lajm tjetër.

Doli sekretaria telefonike, kështu që i la një mesazh ku e njoftonte të takoheshin në lokalin e Mauro Romanit në rrugën Rizzoli me numër 68, për të diskutuar më tej rreth hetimit.

Më pas doli shpejt e shpejt për të vajtur në vendtakim: po priste gjithë ankth të merrte lajme për Daniele Santopietron.

Hipi në makinë dhe ndezi radion. Qetësohej kur e dëgjonte. Ndërroi shpejt shumë frekuenca të radios. Qielli sipër tij ishte i qetë dhe i kthjellët. Dëgjoi një zhurmë në radio. Ishte shumë e dobët.

Pas pak qielli u bë disi i mpitë.

Zhurma u bë edhe më e fortë. Po bëhej gati shurdhuese. Shumë shpejt qielli mori ngjyrë të errët, gati u bë natë.

Zhurma u bë gjithnjë e më e fortë, e më e padurueshme. Stefano nuk mundi ta duronte dot më dhe fiku makinën.

Papritmas zhurma ra.

Stefano mendoi se ishte shëndoshë e mirë dhe u mundua të hapte derën për të dalë nga makina, por shpejt e kuptoi se dera qe bllokuar dhe radioja u fik.

Anash nisi të dilte tym që po i digjte sytë.

Ndërkohë pa se dorezat e brendshme të dyerve nisën të luanin nga vendi, duke rrëshqitur si gjarpërinj.

Ishin gjarpërinj.

Stefano Xamanji po përjetonte një skenë makthi, me tymin që po i vriste sytë dhe gjarpërinjtë që po i zvarriteshin rreth e rrotull.

Duhej të bënte diçka patjetër nëse do donte të dilte gjallë nga makina, dhe madje duhej ta bënte sa më shpejt.

Fare rastësisht i ra ndërmend se kishte një letër gazete pikërisht aty prapa sediljes.

Mendoi ta digjte në mënyrë që t’i çorodiste gjarpërinjtë me tymin që do dilte dhe kështu t’ia mbathte.

Për fatin e tij të mirë, ia arriti qëllimit.

Në ikje e sipër pa tymin në qiell të venitej dhe të linte pas diçka të shkruar që i ngjalli frikë:

DO KTHEHEM

Stefano u drodh vetëm duke e menduar.

Tymi u davarit sikur mos të kishte ekzistuar hiç dhe makina shpërtheu me një zhurmë si gjëmim.

Stefano mendoi menjëherë për librin e kuq që kishte gjetur në qilarin e lokalit të Mauros. Ndoshta këto dy ndodhi ishin të lidhura në njëfarë mënyre me njëra tjetrën.

Ia mbathi me vrap ndërkohë. Ishte tepër i shqetësuar dhe vraponte si i çmendur nga frika. Dukej gati sikur kishte vetë djallin që po e ndiqte nga mbrapa. Por nuk mund të jetë djalli, mendoi.

Apo ndoshta ishte ai vërtet?

U mundua ta largonte atë mendim nga koka.

Duhej të rrinte i qetë, përndryshe për të do mbaronte gjithçka; por i dukej e vështirë pas asaj që kishte parë me sytë e tij.

“Jam i qetë, i qetë, i qetë, i qetëëëëë!!!”. Gati po luante mendsh.

Duhej ta mbante veten.

Mbaje veten, ndryshe mbarove. Mbaje veten!

Pothuaj kishte arritur te lokali i Mauros.

I mbetej edhe pak, maksimumi gjysëm kilometri.

Zëre se tani ia kishte dalë mbanë. Edhe pak dhe arriti. Ishte gjallë. Shëndoshë e mirë, për fat të mirë.

Më në fund tani mund të rrinte i qetë, pa djallin që i vraponte nga pas.

Të paktën kështu i dukej.

Duhej të kishte besim: nuk mund ta stresonte veten në atë farë feje.

Kushedi se çfarë do mendojë Elis kur të më shohë të katandisur kështu.

Stefano vajti te banaku i Mauros dhe porositi një nga ato pijet që vetëm ai dinte t’i përgatiste.

Pas pak minutave Mauro i solli specialitetin e tij: Bladi Meri me shumë piper. Nga ato që thoshin klientët e rregullt të lokalit, duhej të ishte vërtet një mrekulli.

Stefano mendoi se ia vlente vërtet ta provonte, kështu që ndoshta edhe do qetësohej.

Priti ca minuta, dhe më pas erdhi Elis.

Ajo u frikësua kur e pa aq të trishtuar dhe të zymtë dhe më pas e pyeti ç’ishte ajo gjë aq e tmerrshme që i kishte bërë vaki.

Ai ia tregoi.

IV

Elis rrinte e shokuar dhe e tmerruar gjatë gjithë kohës që Stefano i rrëfeu gjithҫka i kishte ndodhur.

Ndërkohë u mendua edhe për atë që kishte ndodhur në shtëpinë e Santopietros dhe u mundua t’i lidhte të gjitha ndodhitë me njëra tjetrën.

«Stefano» tha Elis «isha te shtëpia e Santopietros sot mbasdite nga ora tre dhe e gjeta teksa kishte kapur një njeri tjetër. Një kavie njeri. Qëllova për t’a hequr qafe, por e mbërthyer nga paniku gabova në shënjestër».

«Dhe pastaj?» ia ktheu Stefano.

«Vrava kavien».

«Dua të them se ke vrarë një të pafajshëm dhe ai shkërdhata është akoma vërdallë dhe i pashqetësuar si kurrë ndonjëherë?».

«Atë doja të thoja edhe unë» ia ktheu Elis.

Elis dhe Stefano dolën nga lokali i Mauros dhe u përpoqën të qetësoheshin të dy duke bërë një xhiro me makinë nëpër Bolonjë. Ndoshta do kishte efekt.

Kur u lodhën së ecuri dhe së foluri, u përshëndetën me njëri tjetrin duke lënë takim të nesërmen në Departamentin e Policisë.

U ndanë nga njëri tjetri dhe u nisën për t’u ҫlodhur në shtëpi.

Me të mbërritur në apartamentin e saj të përkohshëm në kryqendrën e Emilia Romanjës, Elli (kështu e thërriste miqësisht Stefano) bëri një dush me ujë të ftohtë dhe u shtri mbi krevat.

Sapo kaluan gati dhjetë minuta, e zuri gjumi.

Ҫuditërisht, pas gjithë atyre që kishin ndodhur gjatë ditës, arriti të flinte mirë dhe me t’u zgjuar u ndje e lumtur për këtë gjë, edhe pse kishte arritur të flinte vetëm pak.

Zgjimi i kishte ardhur krejt padashur nga zilja e telefonit.

Zor se merrte telefonata kaq vonë në mbrëmje. Ndoshta diҫka e rëndë kishte ngjarë. Ndoshta diҫka që kishte lidhje me rastin që po ndiqte bashkë me Stefanon.

E alarmuar, ngriti receptorin.

Ndjeu një fishkëllimë të pazakontë dhe nisi të shqetësohej.

«Nuk njihemi. Apo jo?».

Ajo nuk u përgjigj dhe vazhdoi të dëgjonte.

«Përgjigju! Është e vërtetë që njihemi? Përgjigju po».

Kishte frikë. Mos ishte Santopietro? Jo, ai nuk kishte atë timbër zëri. Nuk mund të ishte ai.

Por kush ishte atëherë?

Ndërkohë vazhdonte të dëgjohej ai zë.

«Mos bëj gjasme sikur nuk di gjë, sepse e di fare mirë që jemi takuar».

Gjithnjë e më e frikësuar, Elis e mbylli telefonin.

U shtri prapë në krevat dhe u përpoq ta zinte gjumi.

Por nuk po arrinte dot më.

Vendosi të ngrihej dhe të shkonte të pinte diҫka të freskët.

Sapo hyri në kuzhinë, pati një ndjesi të ҫuditshme sikur diҫka kishte ndryshuar. Por nuk dinte ҫfarë.

Në fund vuri re diҫka të padëshifruar që qe shkruar mbi dysheme:

Do takohemi përsëri!

Bashkë do jemi të lumtur!

Nuk po e kuptonte se ҫfarë domethënie mund të kishin ato fjalë.

Nuk po arrinte dot t’i shpjegonte.

I duhej të fliste patjetër me Stefano Xamanjin.

Iu duk një mendim i mirë ndërkohë, të provonte prapë të flinte, me shpresë se do ia dilte mbanë.

U shtri dhe mbylli sytë.

“Do ta zini ju vendin e tij ... Ma vratë... Do ta zini ju vendin e tij... Do të paguani për këtë që bëtë... do ta paguani...”.

Po mundohej shumë ta zinte gjumi, por ishte e kotë.

Prapë zgjuar që zgjuar rrinte.

Ndërkohë ra edhe njëherë zilja e telefonit. Ishte katër e mëngjesit.

Elis ngriu.

Dridhej.

Nuk donte të përgjigjej.

Po sikur të ishte Stefano ai që po telefononte pasi mund t’i kishte ngjarë ndonjë gjë e pazakontë ashtu siҫ i kishte ngjarë edhe asaj?

Vendosi, e tëra nën ankth, që të merrte vesh se kush qe.

«Njihe...».

Elis e mbylli telefonin, duke u dridhur e tëra.

Mendoi me kujdes të mbyllte dyer dhe dritare dhe të priste ditën tjetër për t’u takuar me kolegun dhe t’ia rrëfente atij të gjitha fije e për pe.

“Do ta zini ju vendin e tij...”.

Duhej të qetësohej.

“E vratë... do ta paguani për këtë që bëtë... Do ta zini ju vendin e tij...”.

Elis ishte pak të thoje e dëshpëruar. Nuk i hiqeshin nga mendja ato fjalë të Santopietros.

Duhej të arrinte ta hiqte mendjen prej andej. Të paktën deri sa pa gdhirë mirë akoma, të mundej të ҫlodhej edhe nja dy orë ose tre.

Ndërkohë u kthye në kuzhinë për të parë se mos ndoshta i rastiste ndonjë prej atyre fjalëve të shkruara mbi dysheme.

E shtrydhi trurin edhe për ca momente por nuk nxori asgjë prej gjëje. Fjalët e shkruara ishin krejt të padëshifruara, por një kuptim duhej ta kishin.

Fundja edhe një kuptim të vogël fare.

U bë shtatë e mëngjesit ndërkohë.

E lodhur nga qëndrimi në shtëpi pa bërë gjë fare, donte të dilte jashtë dhe të ecte në këmbë.

Kur doli jashtë, mendoi të merrte një gazetë, para se të shkonte në punë.

U ndal tamam në rrugën Rizzoli, pothuajse para fast-food-it të mikut të Stefanos, kështu vendosi të hynte brenda dhe t’i fliste.

Mauro ishte i zënë me përgatitjen e porosive të nevojshme për klientët gjatë drekës, duke ditur që një pjesë tashmë e kishte gati të mbaruar.

Sapo pa Elisin, vajti menjëherë ta takonte.

«Mirëdita» e përshëndeti Mauro «keni marrë vesh ndonjë të re nga ai grabitësi i mëngjesit të djeshëm?».

«Asgjë pothuajse» iu përgjigj Elis «për të qenë të saktë, vetëm banesën ku rri dhe veprat penale që ka kryer në të kaluarën».

«Asgjë tjetër?» e pyeti miku i Xamanjit.

«Asgjë» ia ktheu Elis, me keqardhje.

Zoti Romani mendoi t’i ofronte ndonjë pije, por ajo nuk pranoi duke i thënë se nuk ndihej mirë.

Fill pas kësaj, u përshëndetën me njëri tjetrin dhe ajo vajti drejt e në Departamentin e policisë.

Mezi priste të mësonte të rejat mbi rastin në fjalë, nëse kishte ndonjë te re, dhe të fliste ballë për ballë me Stefanon për atë që i kishte ndodhur atë natë.

Ai gjendej i ulur mbi tryezën e punës dhe po e priste.

«Tungjatjeta, Elis. Si po ia kalon?» e pyeti Stefano Xamanji.

«Jo dhe shumë mirë» ia ktheu ajo «Nuk kam mbyllur sy gjithë natën. Jam tepër e lodhur».

«Ҫ’është ajo gjë aq e tmerrshme që të ka ndodhur dhe që nuk të ka lënë të flesh fare?».

«Pikërisht për këtë doja të të flisja, Stefano».

«Fillo pra të thuash ҫfarë të mundon, Elli. M’i rrëfe të gjitha: jam shumë kureshtar » tha ai.

«Kur u ndamë dje në mbrëmje, vajta drejt e në shtëpi dhe direkt e në shtrat. Pas pak ra telefoni. Për momentin mendova se ishe ti që po telefonoje sepse kishe nevojë për ndonjë gjë, por jo, nuk ishe ti. Më foli një zë i pazakontë dhe nisi të më thoshte që njiheshim me njëri tjetrin... që njihesha me atë... Stefano… që njihesha me atë!».

«Epo, mund të jetë e vërtetë, gjithsesi» i tha Stefano, i qetë.

«Nuk e kam dëgjuar kurrë atë zë. Unë nuk e njoh!» ia ktheu Elis gjithmonë e më nervoze.

«Por nuk mbaroi me kaq» vazhdoi më tej të thoshte «Kur hyra në kuzhinë, vura re disa fjalë të ҫuditshme të shkruara që s’i kam parë kurrë. Dhe të betohem se dje mbasdite nuk ishin».

«Mund t’i ketë shkruar ndonjë hajdut që ka hyrë në apartamentin tënd për të të lënë një mesazh të koduar».

 

«Por shtëpia ishte e gjitha në rregull».

«A je vërtet e sigurt për këtë?».

«Shumë e sigurt» iu përgjigj Elis.

«Hajde, të arsyetojmë për këto që kanë ndodhur pasi të pimë diҫka lart» propozoi Xamanji.

«Dakort jam».

Të dy bashkë vajtën te makinetat automatike që gjendeshin në korridoret e departamentit të policisë, nga ku Xamanji mori një kafe madje pyeti edhe Elisin nëse donte edhe ajo një.

Ajo iu përgjigj me një jo dhe shtoi se qe tepër nervoze për ta pirë një kafe.

«Si thua sikur sot pas lodhjes së punës, të vija në shtëpinë tënde dhe t’i hidhja një sy atyre ҫa janë shkruar mbi dyshemenë e kuzhinës?».

«Do isha shumë e kënaqur» ia ktheu Elis.

Ndërkohë të dy iu përveshën punës.

Yazarın Diğer Kitapları